OPEN AKTE

Një one-stop-shop për kërkimin ligjor dhe transparencën e akteve. 

ÇFARË?

Open Akte është një nismë e ushtrimit në praktikë të të drejtës kushtetuese për informim. Synimi jonë parësor është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve publike në proceset politikë-bërëse. Për të arritur këtë, ne kemi marrë përsipër të kontribuojmë në informimin dhe edukimin ligjor të qytetarëve. 

Nëpërmjet kësaj nisme, ju keni mundësinë të shfletoni akte normative të ndryshme, së bashku me dokumentet e tyre shoqëruese, si relacionet shpjeguese apo raportet përkatëse. Aksesi në informacionin e ofruar i shërben formimit të pikëpamjeve objektive mbi gjendjen e shtetit dhe të shoqërisë.

PSE?

Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave janë organet kryesore politikë-bërëse në Shqipëri. Ligjet dhe aktet normative të Këshillit të Ministrave përbëjnë grupin më të madh të instrumenteve juridike që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve dhe të qytetarëve. Megjithatë, me përjashtim të një kategorie të ngushtë të akteve që i nënshtrohen konsultimit publik, procesi i hartimit dhe bashkërendimit të tyre nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave është një cikël i mbyllur ku qytetari nuk ka akses të drejtpërdrejtë. 

Open Akte e adreson këtë problematikë duke mbledhur dhe ofruar akses në dokumentet shpjeguese të çdo akti normativ. Në to pasqyrohet procesi politikë-bërës si edhe ofrohet një gamë e gjerë informacioni zyrtar mbi çështje me interes për qytetarin, si: (1) terminologjia dhe metodologjia e zbatimit të aktit; (2) qëllimi dhe objektivat e tij; (3) përputhshmëria dhe harmonizimi me legjislacionin në fuqi, programin politik dhe instrumentet strategjike; (4) përputhshmëria me kuadrin e detyrueshëm normativ ndërkombëtar, si edhe me atë të BE-së; (5) analiza e përparësive, problematikave, impaktit dhe kostos financiare; (6) propozuesit dhe kontribuesit; si edhe (7) vërejtjet, sugjerimet e shpjegimet për implementimin e tyre. 

SI?

Open Akte është konceptuar si një databazë në format miqësor me përdoruesin. Në të pasqyrohen akte të ndryshme dhe relacionet e raportet përkatëse të tyre, të vëna në dispozicion në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit. Aktet janë të kategorizuara sipas llojit në: Ligje, Vendime, Urdhra dhe Udhëzime. Duke përzgjedhur llojin e aktit, vitin e miratimit dhe institucionin propozues shfaqet lista përkatëse, ku aktet renditen në mënyrë kronologjike nga më i fundit tek më i hershmi.

Databaza përmban numrin, vitin e miratimit dhe emërtimin e aktit. Për secilin akt janë vendosur butona me emërtimet "Lexo aktin", "Lexo relacionin", si dhe përjashtimisht për ligjet edhe butonat "Lexo raportin e komisionit" dhe "Lexo raportin e konsultimit". Butoni "Lexo aktin" e drejton përdoruesin për njohje me aktin normativ të publikuar në faqen elektronike të Qendrës së Botimeve Zyrtare. Ndërsa butonat e tjerë e drejtojnë përdoruesin për njohje me relacionin e aktit dhe raportet përkatëse.

Publikime të Reja

Lista e përditësuar e akteve normative, të miratuara nga Këshilli i Ministrave gjatë vitit 2024, me propozim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me relacionet shpjeguese të secilit akt, është tashmë online në Open Akte.

20.11.2024

#openakte

#evropa #punëtejashtme

TREGUES

666

Relacione të publikuara

17

Institucione propozuese

150

Kërkesa për informacion

LinkedIn
Email

Open Akte synon të ofrojë informacion të saktë dhe cilësor. Nëse gjatë përdorimit të faqes konstatoni pasaktësi të çdo natyre, na kontaktoni në adresën:  info@o-akte.com